Secondary Adv

Qiraja mesatare arrin 721 euro në muaj në Tiranë, strehimi merr deri 77 për qind të pagës

Kostoja e qirasë në kryeqytet ka kaluar kufijtë e përballueshmërisë për individët dhe shumë familje.

Qiraja mesatare e apartamenteve në Tiranë ka arritur në 721 euro në muaj gjatë vitit 2026, sipas të dhënave të agjencive imobiliare. Ndërsa çmimet e qirave vijojnë të rriten, të ardhurat e qytetarëve nuk po ndjekin të njëjtin ritëm, duke e kthyer strehimin me qira në një nga sfidat më të mëdha financiare për individët dhe familjet në kryeqytet.

 

Sipas ekspertes së tregut të pasurive të paluajtshme dhe menaxheres ekzekutive të “Colliers International Albania”, Stela Dhami, një qira konsiderohet e përballueshme kur nuk kalon 30 për qind të të ardhurave mujore të familjes ose individit. Kur kjo përqindje tejkalohet, strehimi konsiderohet i papërballueshëm dhe sinjalizon stres financiar, ndërsa mbi 50 për qind konsiderohet barrë ekstreme e kostos së strehimit.

 

Qiraja merr deri në 77 për qind të pagës bruto

Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 90,119 lekë, ose rreth 930 euro, në tremujorin e parë të vitit 2026 sipas INSTAT. Duke krahasuar këtë nivel të ardhurash me qiranë mesatare prej 721 eurosh në muaj, rezulton se një individ duhet të shpenzojë rreth 77 për qind të pagës bruto vetëm për të mbuluar qiranë.

 

Nëse merret në konsideratë paga mesatare neto prej rreth 72 mijë lekësh, ose afërsisht 740 euro, qiraja përthith rreth 97 për qind të të ardhurave mujore. Kjo e bën strehimin me qira praktikisht të papërballueshëm për një individ me të ardhura mesatare.

 

Edhe për familjet situata mbetet sfiduese. Një familje me dy të rritur dhe një fëmijë, me të ardhura mesatare bruto prej rreth 182,200 lekësh në muaj, do të shpenzonte rreth 39 për qind të të ardhurave për një qira mesatare prej 721 eurosh. Me të ardhurat neto, kjo peshë ngjitet në rreth 49 për qind.

 

Ushqimet vijojnë të rëndojnë buxhetin familjar

Përveç kostove të strehimit, familjet shqiptare vazhdojnë të përballen edhe me peshën e lartë të shpenzimeve për ushqime. Sipas të dhënave të INSTAT, ushqimet dhe pijet joalkoolike zënë rreth 39.6 për qind të shpenzimeve mujore familjare, shumë mbi mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 13 për qind.

 

Në vitin 2024, familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 93 mijë lekë në muaj për konsum, me një rritje prej 1.5 për qind krahasuar me vitin 2023. Struktura e buxhetit mbeti pothuajse e pandryshuar, me ushqimin që vazhdon të ketë peshën më të madhe.

 

Qiratë rriten në zonat më të kërkuara

Sipas të dhënave të tregut, në zonat pranë qendrës së Tiranës qiratë për apartamente 1+1 luhaten nga 600 deri në 900 euro në muaj, ndërsa në periferi nga 400 deri në 500 euro. Në disa zona të preferuara janë shënuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.

 

Pranë stadiumit “Dinamo”, apartamentet 1+1 jepen me qira nga 500 deri në 1,000 euro në muaj, nga 500–800 euro një vit më parë. Në zonën e Liqenit, çmimet maksimale kanë arritur deri në 1,500 euro në muaj, nga 1,300 euro në vitin 2025. Ndërsa në rrugën e Kosovarëve, pranë Komunës së Parisit, apartamente të tipologjisë 1+1 me post parkimi kanë arritur deri në 900 euro në muaj.

 

Airbnb po kufizon ofertën për qiratë afatgjata

Agjentët imobiliarë vlerësojnë se rritja e çmimeve nuk lidhet vetëm me kërkesën e lartë, por edhe me orientimin e shumë pronarëve drejt qirave afatshkurtra. Ky fenomen ka reduktuar numrin e apartamenteve të disponueshme për qira afatgjata dhe ka shtuar presionin mbi tregun.

 

Sipas të dhënave të AirDNA, në Tiranë ishin të listuara mesatarisht rreth 5,200 njësi për qira afatshkurtër gjatë vitit 2025, nga rreth 1,000 njësi në vitin 2021. Në shkallë kombëtare, numri i apartamenteve të ofruara përmes platformave si Airbnb, Booking dhe Expedia arriti në rreth 26.3 mijë në vitin 2025, nga 21 mijë njësi në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej rreth 25 për qind.

 

Sipas Stela Dhamit nga “Colliers International Albania”, në shtrenjtimin e qirave ka ndikuar edhe rritja e çmimeve të apartamenteve, veçanërisht në zonat pranë qendrës së kryeqytetit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat